09:31 / E Hënë, 19 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pas triumfit ndaj skuadrës italiane, Istogu kalon në rrethin e tretë

Istogu ka arritur sukses historik mbrëmë. Pasi të shtunën shënoi fitoren e parë në gara evropiane, Istogu të dielën e kompletoi suksesin duke fituar sërish ndaj skuadrës italiane Cassano Magnago dhe duke kaluar kështu me sukses rrethin e tretë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) për hendbolliste.

Ndeshjen e dytë Istogu e fitoi me dy gola dallim, njëjtë si ndeshjen e parë. Rezultati i ndeshjes së dytë ishte 23:21 në të mirë të Istogut, ndërsa ndeshja e së shtunës përfundoi 26:24 për skuadrën e drejtuar me shumë sukses nga Faruk Shala.

Të dy ndeshjet u luajtën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, pasi në qytetin e Istogut ende nuk ka përfunduar ndërtimi i palestrës. Por vajzat istogase patën përkrahje të madhe nga shikuesit, që kishin udhëtuar në numër të madh nga Istogu, transmeton IndeksOnline.

Pjesën e parë në ndeshjen e luajtur të dielen Istogu e fitoi me rezultat 12:9. Më efikasja ishte Elma Kameri me plot 10 gola. Albina Rugova e Arlinda Krasniqi shënuan nga katër gola. Por të gjitha lojtaret dhanë kontributin e tyre për këtë sukses të madh.

Kështu Istogu ka zënë vend në mesin e 16 skuadrave më të mira në Kupën Sfiduese.

Cassano Magnago – Istogu 21:23 (9:12)

Istogu: Njomëza Kelmendi, Suzana Ujkiq 2, Elma Kameri 10, Burneta Rama 2, Yllka Shatri, Fjolla Avdylaj, Albina Rugova 4, Aurora Shehdadi, Ketevan Venetski, Fatjona Rexhaj, Alberina Halitaj, Valentina Rexhaj, Blerta Ahmetxhekaj, Pranvera Ferataj 1, Arlinda Krasniqi 4, Adelina Berisha./IndeksOnline/