23:19 / E Mërkurë, 18 Maj 2022 / GF

Reagimet e opozitës pasi Apeli pezulloi vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave të rrymës

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Në aktvendimin e Apelit, thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.

Procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga PDK, raporton Indeksonline.

Pasi Apeli pezulloi vendimin e ZRRE-se për shtrenjtimin e tarifave të rrymës, kanë reaguar krerët e opozitës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që të kthehen mjetet tek qytetarët, të vendosen tarifat e reja si dhe të shkarkohet Bordi i ZRRE-së.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se shpëtuan rreth 450 mijë familje nga shtrenjtimi i rrymës.

Ai madje thotë se si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që qytetarëve tu kthehen paratë e rrymës pa vonesë./Indeksonline/